Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur pak më parë brenda një poliklinike në qytetin e Shkodrës. Sipas Policisë, rreth orës 11:30, gjatë një konflikti për motive të dobëta, Arvin Fregjaj dyshohet se ka plagosur me thikë Vildan Kepëcën, 32 vjeç. I plagosuri u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Por ngjarja u përshkallëzua më tej, pasi vëllai i të plagosurit, Arben Kepeca, pasi mori vesh për ngjajren, u nis i armatosur me pistoletë për të vrarë 18-vjeçarin Arvin Fregjaj. Fatmirësisht policia ndërhyri në kohë duke e ndaluar, edhe pse ai bëri rezistencë. Gjatë ndërhyrjes, ai tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me plumbat.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e Arvin Fregjajt, i dyshuar si autor i plagosjes me thikë.

Njoftimi i policisë:

Sigurimi i informacionit në kohë dhe reagimi i menjëhershëm e profesional i shërbimeve të Policisë parandaluan një ngjarje të rëndë kriminale. Pasi mori dijeni për plagosjen me thikë të vëllait të tij, 41-vjeçari mori një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe u nis për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, por u kap dhe u vu në pranga. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, me municion luftarak.

Rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. F., 18 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin Vildan Kepeca, 32 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes. Gjatë rrugës, ato kanë marrë informacion se vëllai i të plagosurit, shtetasi A. K., 41 vjeç, pasi kishte marrë dijeni për ngjarjen, kishte marrë një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe ishte nisur në këmbë për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes së vëllait të tij. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë, dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Arben Kepeca, 41 vjeç, i cili gjatë ndërhyrjes tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit A. F.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.