Një 15-vjeçar u plagos me armë zjarri dje në zonën e “Ali Demi”, gjatë një konflikti në një piceri. Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 21-vjeçar, i cili dyshohet se e qëlloi të miturin me një armë atipike.
Po ashtu, janë arrestuar tre punonjës të picerisë, ndërsa administratori i saj është shpallur gjithashtu në kërkim, pasi të gjithë kanë fshehur ngjarjen dhe kanë penguar hetimin. Sipas policisë, ata kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr kamerat e sigurisë.
Në Prokurori është referuar edhe një vajzë 15-vjeçe, e cila dyshohet se ka penguar zbardhjen e së vërtetës. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
NJOFTIMI:
Zbardhen dhe dokumentohen rrethanat e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 21-vjeçar, i cili dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri atipike 15-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një piceri.
Arrestohen 3 punonjës të picerisë dhe shpallet në kërkim administratori i saj, pasi nuk kanë kallëzuar për ngjarjen dhe kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar, kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe disa shtetas të përfshirë në përfshirë në këtë rast.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi A. N., 21 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-u shpall në kërkim L. M., 24 vjeç, administratori i picerisë ku ndodhi ngjarja, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-u arrestuan shtetasit F. B., 20 vjeç, A. H., 29 vjeç dhe K. B., 20 vjeç, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Këta shtetas dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetase 15 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.