Policia e Tiranës ka arrestuar një 49-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, lidhur me ngjarjen e dhunshme që ndodhi më 6 dhjetor në zonën e Freskut, ku një 26-vjeçar, identifikuar si F. Y., mbeti i plagosur me sende të forta.
Në pranga ka rënë Helidon Marku, 49 vjeç, i cili dyshohet se është porositur nga Gjoke Ndrevataj, 36 vjeç dhe Xhemal Uka, 30 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim për pjesëmarrjen në sulmin ndaj 26-vjeçarit. Helidon Marku është një emër i njohur për autoritetet, pasi ai ka qenë i skeduar më parë për armëmbajtje pa leje.
Po ashtu, në hetim është vënë edhe një tjetër person, T. D., 33 vjeç, i cili akuzohet se ka shoqëruar Helidon Markun deri në vendin e ngjarjes dhe ka refuzuar të denoncojë krimin në polici. Grupi hetimor po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e të dyshuarve të shpallur në kërkim.
“Tiranë/Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, ku u plagos rëndë, me sende të forta, një 26-vjeçar.
Identifikohen 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht 2 porositësit e plagosjes dhe njëri nga autorët.
Vihet në pranga ky i fundit dhe punohet intensivisht për kapjen e 2 porositësve.
Të tre shtetasit e përfshirë, me precedentë penal të theksuar për krime kundër personit.
I arrestuari, me precedent edhe për armëmbajtje pa leje.
Procedohet penalisht një shtetas që dyshohet se ka shoqëruar autorin e plagosjes, te vendi i kryerjes së krimit, dhe nuk ka kallëzuar rrethana të rastit.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes së rëndë të shtetasit F. Y., me sende të forta, më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit “Porosia”, identifikuan 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht H. M., 49 vjeç, Gj. N., 36 vjeç dhe Xh. U., 30 vjeç.
Nga këto veprime rezultoi se 36-vjeçari dhe 30-vjeçari, për motive të dobëta, kanë porositur shtetasin H. M., për të kryer plagosjen.
Në vijim të veprimeve operacionale, 49-vjeçari u kap dhe u vu në pranga, ndërkaq po punohet për kapjen e shtetasve Gj. N. dhe Xh. U., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e 26-vjeçarit.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. D., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka shoqëruar shtetasin H. M., për të kryer krimin, si dhe ka refuzuar të deklarojë në polici, rrethana të kësaj ngjarjeje, për të cilat dyshohet se ka patur dijeni.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
