Policia e Sarandës, e mbështetur nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH), ka nisur një operacion për kapjen e dy vëllezërve të dyshuar si autorë të një plagosjeje të ndodhur së fundmi në qytet.
Të dyshuarit janë identifikuar si Ramadan Zoto, i njohur edhe me emrin Ramadan Canaj, 43 vjeç, dhe vëllai i tij, Erjon Canaj, 35 vjeç.
Sipas burimeve policore, Ramadan Zoto/Canaj konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi ka precedentë penalë të mëparshëm në Greqi, ku është dënuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai mësohet gjithashtu se ka shkëmbyer zjarr me policinë greke gjatë aktivitetit të tij kriminal. Aktualisht, ai ndodhej nën proces gjyqësor në Gjykatën e Sarandës për akuzën “goditje për shkak të detyrës”.
Ndërkohë, vëllai i tij, Erjon Canaj, rezulton i përfshirë më parë në disa incidente me natyrë kriminale. Në dhjetor të vitit 2022 ai ka ushtruar dhunë ndaj rojës së Spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt të vitit 2024 u arrestua pasi iu gjetën dy armë zjarri në banesë. Megjithatë, disa muaj më vonë Gjykata e Sarandës e shpalli të pafajshëm.
Operacioni për kapjen e tyre vijon, ndërsa Policia ka shtuar kontrollet në disa zona brenda dhe jashtë qytetit. Hetimet për rastin po drejtohen nga Prokuroria e Rrethit Sarandë.
