Policia e Tiranës ka arrestuar Helidon Markun, 49 vjeç, dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë lidhur me një ngjarje të dhunshme që ndodhi më 6 dhjetor në zonën e Freskut, ku një 26-vjeçar, F. Y., mbeti i plagosur me sende të forta.
Njëri nga personat e shpallur në kërkim është Xhemal Uka, 30 vjeç, një emër i njohur në rrjetet sociale me pseudonimin “FireFire”, i cili është gjithashtu i dënuar në Francë për një seri vjedhjesh. Uka, i cili është nga Puka, ndodhet aktualisht në burg në Francë për grabitje me dhunë, pasi është akuzuar për disa vjedhje në qytete të ndryshme të Francës, të kryera gjatë fundvitit 2020 dhe fillimit të vitit 2021. Ai është dënuar me katër vite burg nga Gjykata e Apelit në Caen të Francës për këto vepra. Së fundi ai ♪7shtë liruar pasi e kreu dënimin që kishte.
Në vitin 2015, Xhemal Uka ka qenë i përfshirë në një incident të rëndë në Shqipëri, ku ka plagosur me thikë një polic, Sami Gjyzelin, i cili i mbijetoi sulmit. Uka e kishte goditur policin pasi kishte frikë nga hakmarrja e familjes së tij, çka mendohet se e shtyu të largohej nga vendi.

Në një tjetër aspekt të jetës së tij, Xhemal Uka ka krijuar një aktivitet të diskutueshëm në TikTok, ku zhvillonte sfida dhe detyronte ndjekësit të kryenin veprime të turpshme, duke shkelur normat e etikës dhe duke cënuar integritetin seksual të individëve.
Aktualisht, hetimet janë në vazhdim, dhe policia po punon për kapjen e Xhemal Ukës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes së dhunshme në Tiranë, ndërkohë që autoritetet po bashkëpunojnë me ato ndërkombëtare për të siguruar arrestimin e tij.

