Policia e Lezhës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona në kuadër të hetimeve për plagosjen me armë zjarri të Daniel Pikulit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë pranë një servisi automjetesh.

Të dyshuar për përfshirjen në ngjarje janë Gjergj Voci dhe Seldo Voci. Sipas të dhënave të deritanishme, mes tyre dhe Pikulit dyshohet se ka nisur fillimisht një konflikt fizik, i cili më pas ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armës.

Pamjet e administruara nga kamerat e sigurisë pritet të jenë një nga provat kryesore për rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Në video dyshohet se është regjistruar përplasja mes tre personave, përpara se njëri prej tyre të qëllonte me armë zjarri. Pikuli është goditur në pjesën e barkut dhe është transportuar për ndihmë mjekësore.

Menjëherë pas incidentit, dy personat e kërkuar dyshohet se janë larguar nga zona me një automjet Volkswagen. Hetuesit kanë ndjekur përmes kamerave lëvizjen e makinës deri në zonën e Shënkollit.

Për të përcaktuar itinerarin e plotë të ndjekur nga të dyshuarit, policia ka mbledhur edhe regjistrimet e kamerave të disa bizneseve përgjatë aksit Lezhë–Laç. Materialet filmike po analizohen në kuadër të kërkimeve për lokalizimin e tyre dhe dokumentimin e ngjarjes.

Ndërkohë, Daniel Pikuli vazhdon të marrë trajtim mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore nuk ka lejuar ende marrjen e dëshmisë nga grupi hetimor.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin e konfliktit, dinamikën e plotë të plagosjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.