Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me plagosjen me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Mamurras. Sipas verifikimeve, i plagosur në dorë ka mbetur shtetasi Marketin Pjetër Marku, 51 vjeç.

Pas veprimeve të thelluara hetimore nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas, Roeni Noka dhe Oligert Ndreca, të dy 18 vjeç dhe banues në Mamurras. Ata dyshohet se e kanë plagosur 51-vjeçarin me armë zjarri, për motive të dobëta, në rrugë.

Autorët e dyshuar janë larguar nga vendngjarja me një automjet, i cili është gjetur më pas në banesën e shtetasit O. N. dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

I plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia vijon punën intensive për kapjen e dy të shpallurve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, me qëllim individualizimin e përgjegjësisë së tyre penale.