Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak para mesnatës në Tiranë, ku një 34-vjeçar mbeti i plagosur në këmbë pas një konflikti të dyshuar për motive të dobëta.

Sipas policisë, shtetasi Juxhin Hamajezi është paraqitur në spital rreth orës 23:55 për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ishte qëlluar me armë zjarri në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në zonën e Kinostudios.

Nga hetimet paraprake dyshohet se plagosja ndodhi pas një konflikti të çastit, ndërsa autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

34-vjeçari rezulton emër i njohur për policinë. Në vitin 2018 ai i kishte shpëtuar një atentati po në zonën e Kinostudios, ndërsa në vitin 2021 u arrestua nga Komisariati nr. 4, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e Pogradec për trafikim klandestinësh.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacione paraprake

-Më datë 26.05.2026, rreth orës 23:55, është paraqitur  në spital për ndihmë mjekësore, i plagosur në këmbë, dyshohet me armë zjarri, shtetasi Juxhin Hamajesi, rreth 34 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se plagosja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu” gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.