Fier/ Autori i vrasjes së Ylli Kalemajt u tradhtua nga dëshmia e bashkëshortes


Motivi


Gentiani ka pohuar para hetuesve se shkak i debatit ka qenë dyshimi se viktima i ngacmonte bashkëshorten, pasi shkonte shpesh në lokalin e tij


Edmond Hoxhaj


Vrau një klient të përhershëm të lokalit të tij, pasi dyshonte se i ngacmonte gruan, tashmë do të përballet me akuzat e vrasjes me paramendim. Gentian Liçaj, 36 vjeç, banor i fshatit Buzëmadh të Komunës së Cakranit në Fier, akuzohet nga prokuroria për ekzekutimin e Ylli Kalemajt, ish-rojës së materialeve të kompanisë që ndërtonte autostradën Levan-Damës vitin e kaluar. Grupit hetimor, i kryesuar nga prokurorja Elsa Miha, i është dashur jo pak punë që të identifikojë Gentian Liçajn, mes të dyshuarve për vrasjen e Ylli Kalemajt. Dyshohet se Liçaj e kishte planifikuar mirë skenarin e krimit të tij. Por, është “tradhtuar” nga kontradiktat që ka pasur dëshmia e tij nga ajo e bashkëshortes. Pas kësaj kontradikte, prokuroria ka urdhëruar përgjimin ambiental dhe të bisedave telefonike të të dyshuarit dhe bashkëshortes, prej nga kanë siguruar prova, që e kanë detyruar të pandehurin Liçaj të rrëfehet për të disatën herë para hetuesve, duke dhënë më në fund versionin që dyshohet të jetë më afër së vërtetës.


 


Ngjarja


Në orët e vona të mbrëmjes së 14 majit të vitit të kaluar, në vendin e quajtur Qafa e Zallit, në autostradën në ndërtim, Levan-Tepelenë, u ekzekutua me armë zjarri Ylli Kalemaj, banor i fshatit Gorishovë të Komunës së Cakranit. Trupi i pajetë u gjet mëngjesin e së nesërmes, i shtrirë përtokë, jashtë autoveturës së tij. Policia shoqëroi atëherë si të dyshuar disa persona, por nga hetimet u vërtetua se ata nuk kishin lidhje me vrasjen. Disa muaj pas ngjarjes, policia dhe prokuroria arriti të identifikojë si autor të dyshuar Gentian Liçajn, ndaj të cilit më datë 14 prill 2012, u vendos masa e sigurisë “arrest në burg” pa afat.


 


Hetimi


Liçaj deklaroi fillimisht në polici se nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e Ylli Kalemajt dhe se në momentin e vrasjes, rreth orës 21:00 të 14 majit 2011, kishte shkuar në shtëpinë e tij. Alibia iu rrëzua nga dëshmia e bashkëshortes së tij, që deklaroi në polici se Gentiani ishte kthyer në shtëpi pas mesnatës dhe ishte bërë gjithë baltë. Ndërkaq, nga verifikimi i tabulateve të viktimës, u konkludua se ai kishte marrë një telefonatë nga celulari i Liçajt. Edhe pse ai kishte blerë një javë më parë një numër nga një shitës ambulant, duke mos e regjistruar, ka përdorur aparatin e tij celular. Më pas e ka hedhur numrin, por nuk ka arritur t’i shpëtojë hetimit dhe është vënë në përgjim.


 


Dëshmitë


Pasi hetuesit i kanë paraqitur provat e siguruara, Gentiani është justifikuar se ishte detyruar nga një tjetër person që të bashkëpunonte në vrasjen e ylli Kalemajt. Ai ka pohuar se personi që e ka vrarë Kalemajn e kishte detyruar me pistoletë në kokë që të merrte në telefon viktimën dhe të siguronte një takim mbrëmjen e 14 majit të vitit të kaluar, në Qafën e Zallit. Por, dëshmia e Liçajt është rrëzuar sërish nga përgjimet e bisedave telefonike, ku ai ka tradhtuar veten dhe më në fund ka dhënë një dëshmi të re. Ka pretenduar se 6 muaj para ngjarjes, Ylli Kalemaj i kishte marrë borxh një shumë prej 600 mijë lekësh dhe nuk ia ka kthyer. Sipas dëshmisë së Gentianit, Ylli i kishte premtuar se do t’i jepte naftë në vend të parave derisa të shlyhej borxhi. Por, sipas të pandehurit, Ylli nuk i ka dhënë as naftë, ndonëse ka mësuar se ai ua shiste të tjerëve.


 


 


Hetimet


Telefonata dhe takimi i 14 majit te Qafa e Zallit


Autori Gentian Liçaj ka sqaruar se e ka marrë në telefon Yllin mbrëmjen e 14 majit 2011 dhe i ka kërkuar takim që të flisnin për borxhin. Kur ka mbërritur Ylli në vendin e takimit, Gentiani ka pohuar se ka hipur në sediljen e pasagjerit të automjetit dhe kanë debatuar. Gentiani ka pohuar para hetuesve se shkak i debatit ka qenë dyshimi se viktima i ngacmonte bashkëshorten, pasi shkonte shpesh në lokalin e tij. Ai ka pretenduar se e ka qëlluar me pistoletë në gjaknxehtësi e sipër. Ndërsa ka shtuar se edhe viktima ka pasur një armë automatike tip kallashnikov, por se nuk ka qëlluar. I pandehuri ka vijuar dëshminë, duke sqaruar se më pas ka marrë të dyja armët dhe është larguar me motor. Dyshohet se me të pandehurin Liçaj ka bashkëpunuar edhe një person tjetër që ka shtënë me automatik ndaj Kalemajt.


 


Hetimet e Prokurorisë së Fierit


Planifikimi – I pandehuri kishte të paktën një javë që e kishte planifikuar ekzekutimin, por u “tradhtua” nga dëshmia e gruas dhe aparati celular


Borxhi – Ka pretenduar se 6 muaj para ngjarjes, Ylli Kalemaj i kishte marrë borxh një shumë prej 600 mijë lekësh dhe nuk ia ka kthyer


Autori 1 – Prokuroria thotë se Gentian Liçaj është autori dhe organizatori i vrasjes. Provat janë përgjimet telefonike


Autori 2 – Dyshohet se me të pandehurin Liçaj ka bashkëpunuar edhe një person tjetër, që ka shtënë me automatik ndaj Kalemajt