Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK ndaj grupit “Bajri”, anëtarët e të cilit akuzohen për planifikimin e atentatit ndaj Aleksandër Prendi.

Sipas hetimeve, një rol kyç në zbulimin e provave kanë pasur telefonat celularë të sekuestruar, nga ku janë nxjerrë materiale që, sipas prokurorëve, dokumentojnë interesin e të dyshuarve për armët dhe aktivitetet e qitjes.

Në dosje përmendet Izmir Sakicaj, në telefonin e të cilit janë gjetur foto që tregojnë armë të ekspozuara në një mur, ndërsa hetuesit pretendojnë se ai shfaq interes të veçantë për armatimin.

Po ashtu, sipas SPAK, Samuel Troshani është filmuar duke bërë qitje me armë në natyrë, në shoqërinë e një vajze ende të paidentifikuar.

Nga këqyrja e telefonit të Izmir Sakicajt janë zbuluar edhe fotografi me shuma të konsiderueshme parash në euro, kryesisht kartëmonedha 50 dhe 20 euro, të cilat janë përfshirë si pjesë e provave në dosjen hetimore.

Të pandehurit janë dërguar për gjykim në lidhje me akuzat për organizim dhe përgatitje të atentatit ndaj Aleksandër Prendit.

SPAK MERR TE PANDEHUR TRE PERSONA
SPAK merr të pandehur tre anëtarë të grupit ‘Bajri’. Bëhet fjalë për të pendehurit Samuel Troshani, Izmir Sakica dhe Franko Leka. Ndërkohë, Aleksander Prendi, është anëtari i katërt, nga grupi rival, ku tre të pandehurit, akuzohen se kishin planifikuar ta vrisnin.

Ndonëse Prendi ishte në shënjestër, ai nuk i shpëtoi akuzave të SPAK. Sakaq, Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim. Sipas SPAK Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij, të cilët janë banorë të kësaj zone. Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga Prendi. Pas hekurave ndodhen Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët zgjodhën të vetëdorëzohen në polici.