Festa e Bashës prishet nga një protestë në Shkozë ku banorët nuk kanë furnizim me ujë
Tirana, sipas planit të ri urbanistik nuk do të ketë vetëm një qendër, por edhe 7 të tilla periferike. E planifikuar për një popullsi në rritje deri në 1 milion e 300 mijë banorë, ajo tashmë parashikohet të ketë 5 unaza dhe tre parqe të tjera si Paskuqan, Sauk dhe Farkë, përveç Parkut të Liqenit dhe Parkut të Dajtit.
Plani i ri urbanistik parashikon një Tiranë policentrike ku poli i saj juglindor që i përket Qytetit Studenti, përvec arsimit të pasurohet edhe me funksione të tjera. Poli që përfshin Liqenin Artificial sugjerohet të mbetet thjesht rekreativ me shërbime të tjera për argëtim.
Në zonën e ish-fushës së aviacionit plani parashikon shtimin e bizneseve, ndërkohë që në kombinat parashikohet Tirana Olimpike, me funksione sportive.
Gjatë prezantimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se mbajtëm premtimin duke bërë gati planin rregullues në harkun kohor prej 10 muajsh
“Tirana ka dhënë shenjat e lodhjes me një bllokim prej disa vitesh si rezultat i një politike të konfrontimit dhe aspak miqësore me biznesin dhe qytetarët. Ne shpresojmë që një nga instrumentat tona për të kapërcyer këtë ngerç dhe për të katalizuar investimet dhe larminë e tyre në qytet dhe rajon, të bazohen në këtë vizion që po ndërtojmë dhe shpalosim sot së bashku. Mungesa e planit dhe planifikimit ka thelluar edhe pabarazinë në zhvillim. Jemi dëshmitarë të një modeli të dështuar që ka bërë që një pjesë e pronave të fitojnë vlerë përmes një procesi planifikues selektiv dhe një pjesë tjetër të humbasë vlerë pikërisht për të njëjtën arsye. Kjo praktikë do të marrë fund”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Plani i përgjithshëm urbanistik përcakton rregullat se si do të zhvillohet Tirana në vitet e ardhshme duke përcaktuar zonat ku do të ndërtohet, distancat dhe lartësitë e objekteve. 18 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)