“Kriptovaluta, luftëtarë në Siri dhe një pozicion strategjik në portat e Europës: Kur mendojmë për terrorizmin xhihadist të të shtënave me armë në ambiente publike, bombave në metro dhe sulmeve me thikë nëpër ura, që gjatë dekadës së fundit kanë tronditur disa kryeqytete europiane, lidhja me Shqipërinë nuk është aspak e para gjë që të vjen në mendje,”

Kështu shkruan “Corriere del Veneto”, duke iu referuar ndalimit të 22-vjeçarit shqiptar që sipas autoriteteve italiane, po planifikonte një atentat në qendrën tregtare “Adigeo” të Veronës. Hetuesit kishin zbuluar interesin e të riut për të ndërtuar një pajisje shpërthyese dhe për të kërkuar informacione të dobishme për përgatitjen e saj. Disa nga materialet e nevojshme me sa duket ishin blerë tashmë, por nuk ishin në zotërim të tij.

“Ky është një rast jashtëzakonisht i rrallë radikalizimi shqiptar. Islami shqiptar është i organizuar në vëllazëri sufiste, i lidhur me folklorin dhe tradita të imponuara nga Perandoria Osmane. Në Shqipëri nuk ëndërrojnë për një shtet islamik. Sot rreth 70% e popullsisë është myslimane, por bëhet fjalë për një religjiozitet të qetë, edhe pse kjo nuk përjashton mundësinë që të ketë grupe të izoluara ose individë të veçuar që radikalizohen në internet”-, thotë për gazetën italiane ish-profesori i Sociologjisë në Universitetin e Padovës, Vincenzo Pace.

Sips shtypit italian, pikërisht radikalizimi online kishte ndodhur me 22-vjeçarin që kishte kërkuar materiale dhe informacione për prodhim bombash artizanale e kishte hapur një llogari bankare për të kaluar fonde. I riu u arrestua në aeroportin e Trevisos më 10 gusht, sapo mbërriti nga Tirana me prindërit dhe më pas u dëbua nga Italia për arsye të sigurisë kombëtare. Hetimet zbuluan gjithashtu se ai komunikonte me persona të lidhur me fondamentalizmin islamik dhe kishte menduar të shkonte në territore të kontrolluara nga ISIS.