Lagjja muze, plani nuk do të ndërhyjë në ato objekte që janë ligjërisht historike


Lorina Mixha


Binarët mbi të cilat do të ecë qyteti i Tiranës, sipas planit urbanistik, do të caktohen duke u diskutuar me kryeqytetasit aktualë, autoktonë apo të ardhur.


Dje, kreu i Bashkisë së Tiranës ka nisur diskutimet për këtë plan nga lagjja ku është rritur, në njësinë bashkiake numër 8.


Në këtë zonë, sipas kreut të bashkisë, ka pasur favorizime për zhvillimin e pronës, ndaj në planin e ri, njësia numër 8 do të ketë aq ndërtime sa do t’u duhen banorëve të kësaj zone, ku shpesh gjenden ngushtë e ku jetojnë dy kurora brenda një shtëpie.


Kështu, në këtë njësi vendore, pritet që plani të parashikojë ndërtime, legalizime shtesash, por edhe shembje e lirim të disa hapësirave, të cilat do të përdoren si vend pushimi për fëmijët e të moshuarit.


Shanset e barabarta për të zhvilluar pronën kanë qenë diskutimi i një viti më parë me familjet tiranase, në kohën kur Lulzim Basha ishte thjesht një kandidat për kryetar bashkie.


Kreu i bashkisë


“Ky është një nga ndryshimet kryesore, në rezultatet që ne ju paraqesim sot, të planit urbanistik të Tiranës, mundësia për të zhvilluar pronën në mënyrë të barasvlefshme dhe të barasvlefshme do të thotë jo arbitrare, jo që dikujt t’i mundësohet një zhvillim dhjetërakatësh dhe dikujt tjetër ngjitur me të, mos t’i mundësohet asgjë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës gjatë konsultimit të planit urbanistik në njësinë vendore nr. 8.


Sipas tij, formulat e zhvillimit të pronës do të parashikohen për të gjithë, ndërkohë që në Unazën e Re po fillohet të ndërtohet i gjithë rrjeti unazor dhe arteriet kryesore të qytetit.


“Të gjithë e dimë se banorët e kësaj lagjeje pothuajse janë dyfishuar në këto 20 vite, se nuk ka një shtëpi të vetme që të mos ketë të paktën dy kurora më shumë se sa para 20 vitesh dhe se për shkak të paaftësisë e pamundësisë për ta zhvilluar ashtu siç duhet, të gjithë jemi të detyruar të bëjmë urbanistin, arkitektin dhe t’i shtyjmë muret e shtëpive tona, për të bërë një dhomë më shumë apo një sallon më shumë, për të akomoduar shtimet natyrale të familjeve tona dhe se në këtë proces, për fat të keq ka humbur prej kohësh karakteri fillestar i lagjes”, tha Basha.


Ai sqaroi se procesi është rënduar më shumë nga ndërtimet, nga të cilat ka përfituar vetëm një grusht banorësh të kësaj zone.


Këshilltari


Sipas këshilltarit të Kryeministrit, Flamur Kuçi, një nga ekspertët prioritarë në realizimin e planit urbanistik të Tiranës, lagjja konsiderohej një zonë me ndërtime të ulëta, një pjesë e mirë zonë historike.


“Në planin tonë ne e kemi hequr konceptin e zonës historike, mund të ketë objekte. Nëse objekti është shpallur ligjërisht si i tillë ligji e pengon planifikimin urban të ndërhyjë në atë objekt. Kemi hequr definicionin e zonës historike, për shkak se e konsiderojmë një lloj penalizimi të zonës”, deklaroi dje Flamur Kuçi. Sipas tij, plani zviceran në lagjen nr. 8 kishte parashikuar tri lloje zonifikimesh. Zonifikim miks, në zonat ish-industriale, ku pjesa e banimit në funksion arrinte deri në 80 për qind.


Një ish-zonë industriale e privatizuar deri në 80% mund të ndërtohej për banim. Zona autoktone kishte pjesën dërrmuese me dy kate, ndërkohë, që sipas Kuçit, në zonën autoktone intensiteti arrin në 3.81 deri në 3.18, çka do të thotë 6,7 deri në 8 kate.


 


Intensiteti i ndërtimit


I njëjtë për të gjithë bllokun e banimit


Maksimalja e intensitetit të shfrytëzimit në Tiranë do të jetë 4 kate. “Në qoftë se deri dje, madje dhe në planin zviceran, funksiononte logjika se ky shesh është tetëkatësh, ky ngjitur dykatësh dhe sheshi më pas lulishte, në formulën e planit tonë ky element është shuar”, tha Kuçi. Sipas tij, intensiteti është i njëjtë për të gjithë bllokun e banimit, për të gjitha sheshet e ndërtimit, pra s’ka dikush pesë e dikush dy.


“Kur bëhet plani, do të realizohet për të gjithë bllokun jo për një pjesë. Kështu, ndërtuesi do të ketë detyrimin të dalë me formulën e menaxhimit. Një shesh mund të ketë pallat dhe një tjetër lulishte, por pronari i lulishtes do të jetë brenda dakordësisë për t’u kompensuar te pallati ngjitur. Ky është rregull i vendosur në këtë plan urbanistik”, ka argumentuar Kuçi.