pilula shbaNjë gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës urdhëroi qeverinë të lejojë blerjet e pilulës kundër shtatzënisë, të njohur si pilula e ditës së nesërme, për të gjitha vajzat pavarësisht moshës. Sipas gjykatës, masat për heqjen e kufizimeve duhet të merren nga qeveria brenda 30 ditësh.


Gjykatësi Edward Korman tha se një vendim nga sekretari i SHBA-së për shëndetësinë për të ndaluar blerjen e pilulës nga vajzat më të vogla se 17 vjeç, ishte “kapriçioz”.


Grupimet aktiviste për të drejtat e riprodhimit, të cilat e dërguan çështjen në gjykatë, e konsideruan vendimin një fitore. Avokati i qeverisë amerikane tha se po mendohej për opsionet ligjore.


Qendra për të Drejtat Riprodhuese, e cila ngriti padinë, argumentoi se nuk ka asnjë provë shkencore që të thonë se vajzat më të vogla se 17 vjeç janë të rrezikuara nga efektet anësore të pilulës. Konservatorët në SHBA patën argumentuar se heqja e kufizimeve në aksesin e pilulës mund të promovojë aktivitetin seksual mes vajzave të vogla.


Në vitin 2011, FDA deklaroi se nuk kishte probleme shëndetësore në rast të përdorimit të pilulës së “mëngjesit tjetër” për vajzat në moshë riprodhuese.


Por, në një lëvizje të paprecedentë, sekretari i shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore, Kathleen Sebelius, nuk e mori parasysh agjencinë. Ajo tha se nuk kishte prova të mjaftueshme nga të gjitha moshat për të mbështetur heqjen e kufizimit. Presidenti Barack Obama e mbështeti vendimin e saj.


Gjykatësi e kritikoi administratën Obama, duke thënë se ajo pati “përdorur justifikime për të ndaluar një numër të madh grash nga e drejta për të marrë kontraceptivë pa kufizime.”


Pilula kontraceptive është efektive për 72 orët pas marrëdhënies seksuale, por funksionon më mirë nëse merret sa më shpejt, si dhe mund të shkaktojë efekte anësore, si rrjedhja e hundëve apo diarre.