Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pranuar kërkesën e Xhelal Rrajës për ndryshimin e masës së sigurisë duke e liruar nga burgu për ta lënë në “arrest shtëpie”.

Xhelal Rraja ndodhej në qeli pasi u arrestua më 10 korrik 2024, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje. Mësohet se vëllai i ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore dhe atij i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç atyre me të cilët ndan banesën.

Xhelal Rraja, është vëllai i ish-deputeti socialist Rrahman Rraja dhe akuzohet se ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles. Ai akuzohet se do të siguronte kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohet në janar 2021, kur ky të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha. Sipas dosjes, Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë Ndokën.

Njoftimi i GJKKO:

1. Kërkuesi Xhelal Rraja me datë 17.12.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit të vendimit Nr. 49, datë 15.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, miratuar me vendimin Nr. 78, datë 12.07.2024 të kësaj Gjykate dhe caktimin e masës së sigurimit atë të “Detyrimit për t’u paraqitur pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore”, për këtë shtetas”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 26, datë 04.02.2026, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj të pandehurit Xhelal Rraja, me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 dhe me vendimin Nr.78, datë 12.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

3. Urdhërohet i pandehuri Xhelal Rraja, të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në ****, Njësia Administrative ****, ****.

4. Urdhërohet i pandehuri Xhelal Rraja, të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të personave që bashkëjetojnë me të.

5. Zbatimi dhe mbikëqyrja e vazhdueshme e kësaj mase sigurimi të bëhet nga Komisariati i Policisë që mbulon vendbanimin e tij.

6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Xhelal Rraja, nga ambientet e paraburgimit nëse nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar ose i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.

7. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.