Drejtësia gjermane ka dënuar me burg një grup shqiptarësh në Gjermani, pasi akuzohen për kultivim dhe trafik kanabisi në sasi të mëdha dhe panifikim për rrëmbim personi.

Para Gjykatës së Landit në Dyseldorf të Gjermanisë dolën shtatë shqiptarë, të moshës nga 21 deri në 51 vjeç, të gjithë pa vendbanim të përhershëm sipas gjykatës. Katër të akuzuarit kryesorë u dënuan me burgime nga tre vjet e shtatë muaj deri në shtatë vjet, në varësi të rolit të tyre në krim. Për tre ndihmësit, gjyqtarët konsideruan të përshtatshme dënimet nga dy vjet e gjysmë deri në dy vjet e dhjetë muaj.

Mediat gjermane shkruajnë se sipas hetimeve, dy të akuzuarit 50 dhe 51 vjeç kishin planifikuar prej më shumë se tre vitesh kultivimin dhe shitjen në shkallë të gjerë të drogës së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë. Për këtë, shqiptarët kishin marrë me qira prona të përshtatshme në tre lokacione në Nordrhein-Westfalen dhe kishin rekrutuar pesë bashkatdhetarë si “kopshtarë”, të cilët do të jetonin vazhdimisht në objektet ku kultivohej kanabisi. Sipas akuzës, ndihmësve 21 deri 34 vjeç u ishte premtuar nga 10 mijë euro për çdo korrje.

Dy të akuzuarit më të vjetër merreshin kryesisht me furnizimin e plantacioneve dhe personelit, ndërsa gjithashtu ndihmonin në rritjen e bimëve të kanabisit. Policia ra në gjurmët e grupit përmes një procedure tjetër penale, që lidhej po ashtu me tonelata marihuanë. Gjatë këtij procesi gjyqësor po flitej për rrëbimin e një bosi të trafikut të kanabisit.

Vitin e kaluar hetuesit ndërhynë dhe zbuluan plantacionet në Lüdenscheid, Bad Salzuflen dhe Dormagen. Sipas hetimeve, prodhimi për çdo korrje arrinte në rreth 150 kilogramë kanabis gjithsej. Çmimi i shitjes në rrugë për kanabis aktualisht vlerësohet rreth 10 euro për gram.