Avokati Plarent Ndreca ka paralajmëruar kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj punonjësve përgjegjës, pasi pretendon se është penguar të takohet me klientin e tij, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Nga Prokuroria e Fierit, ku ndodhej për të ndjekur këtë çështje, Ndreca deklaroi se përplasja me punonjësit e institucionit vijon që prej ditës së djeshme, kur ai kërkoi të takohej me Veliajn.

Sipas avokatit, justifikimi i dhënë nga punonjësit ka qenë se vizita kërkohej jashtë orarit zyrtar dhe se nuk kishte personel për të mundësuar takimin. Ndreca tha se kjo bie ndesh me të drejtën ligjore të avokatit për të komunikuar me klientin e tij. Ai theksoi se takimi ishte kërkuar nga vetë Veliaj dhe se mes tyre ishte parashikuar një seancë komunikimi dhe intervistimi, e cila deri më tani nuk është zhvilluar.

Plarent Ndreca: Justifikimi është sikur nuk ka personel, sikur ka një rregullore që ndalon hyrjen jashtë orarit zyrtar ndërkohë që iu komunikova që ka një ligj që duhet respektuar, përcakton shumë qartë që avokati, prokurori e gjyqtari hyjnë në çdo kohë. Bëmë një debat të vazhdueshëm që vijon nga dita e djeshme. Dje u bindën.

Qëndrova për rreth 20-30 minuta duke bërë diskutime me oficerin e rojes. Komunikonte me dikë, se di me kë. Kjo është shkelje e paprecedentë dhe absursde se unë nuk i marr leje as Drejtorisë së Burgjeve sepse është një e drejtë kushtetuese.

Unë jam kërkuar nga klienti im për të qenë prezent sot. Kemi lënë një seancë intervistimi, komunikimi me njëri-tjetrin dhe kjo nuk mund të bëhet sipas axhendës së Drejtorisë së Burgjeve por sipas axhendës që ne kemi përcaktuar. Ky është një hap i panevojshëm. Unë s’kam ardhur as për ta eskaluar, as publikuar, as për të bërë kallëzim penal sepse do të shkaktojë pasoja pastaj në komunikimin me klientin. Akoma s’kam komunikuar. Jam ndaluar të komunikoj me të.