Ka ardhur reagimi i Ervin Salianjit pas deklaratave të bëra nga Sali Berisha gjatë një takimi në Dibër, ku kreu i PD-së e përjashtoi atë nga gara për drejtimin e partisë.
Salianji shprehet se arsyeja e vërtetë e këtij qëndrimi është frika nga gara, duke shtuar se, sipas tij, Berisha e di që mbështetja brenda demokratëve është në rënie.
Në një postim në rrjetet sociale, ish-deputeti ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj Berishës, duke e akuzuar atë për lidhje me krimin e organizuar dhe për përdorim të këtyre lidhjeve për ndikim politik. Ai i është përgjigjur edhe pretendimeve të Berishës për periudhën kur ndodhej në burg, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Salianji ka publikuar gjithashtu dokumente, sipas tij, që provojnë lidhje të Berishës me korrupsionin, ndërsa paralajmëron se do të vijojë publikimin e fakteve të tjera.
Më tej, ai thekson se kreu i PD-së është i refuzuar nga ndërkombëtarët, një pjesë e shoqërisë dhe gjithnjë e më shumë edhe nga vetë demokratët, çka sipas tij e bën të shmangë garën e brendshme në parti.
