Një tjetër përplasje e ashpër ka ndodhur gjatë kësaj seance plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri ka ngritura kauza ndaj mazhorancës në lidhje me ligjin për tokat bujqësore, ndërkohë që akuzoi edhe Taulant Ballën për shantazhe. Ky i fundit i është përgjigjur me një kërcënim, duke i thënë se do të nxjerrë mesazhet e Kaprit dhe familjarëve të tij, duke nxehur akoma dhe më shumë situatën.

Pjesë nga debati:

Kapri: Hiqni dorë nga këto. Respektoni të drejtën e shqiptarëve për pronësinë, sepse ndryshe fundi juaj do të jetë shumë më i rëndë nga se e keni imagjinuar. Është shumë më keq se largimi nga politika. Mos guxoni ta sillni atë ligj në Parlament, sepse ndryshe do të rrethohet nga mijëra e mijëra pronarë që nuk do e falin Edi Ramën. Edhe juve Taulant. Shantazhet e tua nuk pinë ujë. Nuk na e mbyll dot gojën. Ju ka dalë boja. Ju ka ardhur fundi. Nuk do të ketë më Kanye West. Nuk do të ketë më Osman. Jeni kthyer të urryer Taulant…

Balla: Gënjeshtar me pagesë. I vetmi njeri që do mbahesh mend në Kuvendin e Shqipërisë që erdhe si një mbajtës çante i një deputeti tjetër. Tani më thonë kolegët të nxjerr mesazhet e tua dhe familjarëve të tu. E di mirë ti. Mbylle gojën! Gënjeve këtu…

Kapri: Ti përmend familjarë këtu? Nxirri!

Balla: Nxehja është provë e së vërtetës. Kur nxehesh tregon që e ke mizën nën kësulë. Miza lëviz dhe të shkakton çorientim mendor. Zotëri, ti je një gënjeshtar me pagesë. Bëre të njëjtin gabim dhe u kape me presh në dorë.