Përplasjet e Adriatik Lapajt dhe simpatizantëve të tij me policinë, që vijojnë të qëndrojnë poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama në formë proteste, kanë vijuar dhe mbrëmjen e sotme. Si shkak është bërë rrethimi që Lapaj e mbështetës të tij kanë bërë në trotuar me kartonë e karrige ku qëndrojnë ditën e natën.
Një numër i konsiderueshëm efektivësh afrohen dhe prishin kartonët e vendosur për mbrojtje nga i ftohti dhe marrin sendet e tjera, duke i ngarkuar në një mjet për t’i larguar. Ndërkohë në një moment, teksa Rama ka lënë ambientet e kryeministrisë, të grumbulluarit në bulevard, një zëri kanë thirrur “Edi Rama o hajdut”.
Njëri prej aktivistëve është shoqëruar në polici. Nga kjo ndërhyrje e policisë, Lapaj e mbështetës të tij janë nisur për të protestuar përpara komisariatit nr.1.
Adriatik Lapaj i vetëm më 8 dhjetor, vendosi të qëndronte pa lëvizur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” poshtë zyrës së Ramës e më pas atij iu bashkuan mbështetës së partisë së tij si dhe aktivistë.



