Një 32-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia pasi plagosi me armë një 29-vjeçar pas një sherri për motive të dobëta në Rrugën e Dibrës, mbrëmjen e djeshme. I plagosuri u qëllua në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi:
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. C., 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin G. H., 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri.
Shtetasi G. H. mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
