Policia e Himarës ka shpallur në kërkim ish-efektivin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, pas një konflikti të ndodhur në një hotel në Dhërmi.

Sipas informacioneve, Shpataraku është denoncuar nga punonjësit e hotelit pas një përplasjeje verbale që dyshohet se ka nisur për shkak të pakënaqësisë së tij me shërbimin e ofruar.

Burime bëjnë me dije se pas kallëzimit të bërë nga stafi i hotelit, Policia ka nisur veprimet procedurale dhe ka shpallur në kërkim ish-zyrtarin.

Uljan Shpataraku u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit në muajin maj të këtij viti për mosparaqitje në detyrë. Në atë kohë ai mbante funksionin e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit, ndërsa kishte justifikuar mungesat me vijimin e studimeve.

Autoritetet po punojnë për lokalizimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.