Është zbardhur e gjithë dinamika e ngjarjes së rëndë në gjykatën e Apelit, ku humbi jetën në krye të detyrës gjyqtari Astrit Kalaja.

Gazetari Igli Çelmeta tregon se pasi ka hyrë i armatosur, përmes një detektori metalesh që nuk funksiononte në hyrje të gjykatës, autori Elvis Shkëmbi ka ndjekur seancën gjyqësore deri në fund.

Teksa gjithçka po mbyllej pa tensione, në momentin e dhënies së vendimit ai ka nxjerrë armën duke qëlluar me tre plumba gjyqtarin Kalaja dhe më pas babë e bir që ishin palë në proces.

Elvisi më pas ka dorëzuar armën e krimit dhe ka qëndruar në oborr të gjykatës ku u arrestua nga policia pa bërë rezistencë.

“Nga dëshmia e dhënë nga roja është se detektori i metaleve nuk ka punuar jo vetëm sot por prej ditësh, skaneri që kontrollon të gjithë njerëzit, nuk ka funksionuar. Ai nuk ka funksionuar duke e lënë Elvis Shkëmbin të hyjë i armatosur. Në orën 14:00 Elvis Shkëmbi ka qenë më xhaxhanë e tij Gjon Shkëmbi. Seanca po zhvillohej pa tensione deri në momentin e dhënies së vendimit. Në këtë moment Elvisi ka qëlluar 3 herë ndaj gjyqtarit dhe më pas ndaj dy personave që ishin palë në proces. Më pas ka dorëzuar armën dhe ka qëndruar në oborrin e gjykatës, ku është dhe arrestuar”, u shpreh gazetari.