Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë. Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa gjykata i dënoi me gjithsej 81 vite burgim.
Gjatë një konference për mediat, Vuçiç tha se kishte ndjekur reagimet e liderëve dhe zyrtarëve të rajonit pas vendimit, duke iu referuar në mënyrë të veçantë deklaratave nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia.
Ai përmendi reagimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe atë të kryeministrit Edi Rama, i cili reagoi në rrjetet sociale pas shpalljes së aktgjykimit.
Vuçiç iu referua gjithashtu deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi vendimin si “padrejtësi të papranueshme” dhe tha se ai duhet të ndryshohet në procesin e apelit.
Presidenti serb përmendi edhe reagimin e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili e kritikoi aktgjykimin dhe shprehu bindjen se ai mund të ndryshohet në instancat më të larta.
Duke iu referuar këtyre qëndrimeve, Vuçiç ngriti pyetje mbi mënyrën se si trajtohen deklaratat e politikanëve të rajonit dhe nëse ato mund të kenë ndikim në proceset e integrimit evropian.
Ai kritikoi gjithashtu faktin që gjykata nuk i gjeti të provuara akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa të pandehurit u shpallën fajtorë për katër kategori krimesh lufte: ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Gjykata tha se nuk ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistenca e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile, element i nevojshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në fund të deklaratës së tij, Vuçiç tha se reagimet e ndryshme ndaj aktgjykimit, sipas tij, tregojnë për standarde të ndryshme në trajtimin e serbëve dhe popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë.
“Serbët duhet të jenë kriminelë në çdo njoftim, në çdo deklaratë”, deklaroi presidenti serb.
