Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në lidhje me situatën e rënduar në Vlorë, ku prej 4 ditësh qytetarët nuk furnizohen me ujë të pijshëm.
Nën jë reagim në “X”, Rama ia ka faturuar problemin Partisë Demokratike, e cila sipas tij ka kryer punime pa kriter në vitet 2009-2010. Më tej, Rama thekson se pjesët e reja hidraulike vijnë sot nga Stambolli, për të rregulluar përfundimisht defektin. Ai iu kërkoi ndjesë vlonjatëve, ndërsa shtoi se kjo është peripeci e pamerituar.
“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…
Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën
Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë.”- shkruan Rama.





