Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar pamjet e një 21-vjeçari të plagosur gjatë protestës, duke pretenduar se i riu është goditur me plumba gome nga policia.
Në fotografinë e shpërndarë nga Berisha, i riu, i identifikuar si Leonardi, shfaqet me një plagë në pjesën e buzës, e cila, sipas pamjeve, është trajtuar me qepje.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i PD-së ka dënuar atë që e cilëson si përdorim të dhunës ndaj protestuesve.
“Vrasës mizor, stop plumbave mbi studentët. Plumb në gojë Leonardit, 21 vjeç, nga vrasësit e Padrinos! Dënoj me forcën më të madhe këtë krim monstruoz”, shkruan Berisha.
Deri më tani, nga informacionet e bëra publike në këtë rast nuk rezulton një konfirmim i pavarur për rrethanat e plagosjes dhe llojin e municionit të përdorur.
