Seanca e radhës në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë” u zhvillua këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme.

Gjatë seancës, para trupit gjykues dëshmoi Erjon Alibej, i cili dha detaje mbi njohjen e tij me Plaurent Dervishajn. Ai deklaroi se kontakti mes tyre daton në vitin 2019, pak kohë përpara atentatit ndaj tij, që sipas tij ka ndodhur në mars ose në fillim të prillit të atij viti.

Sipas dëshmisë, takimi me Dervishajn kishte si qëllim sqarimin e ngjarjeve të rënda që kishin prekur familjen e tij, pasi Alibej kërkonte të mësonte autorët e krimeve ndaj të afërmve.

Në vijim të rrëfimit, ai shtoi se Dervishaj përdorte aplikacionet e komunikimit të koduar si EncroChat dhe Sky ECC, ku në këtë të fundit operonte me pseudonimin “Barcelona”.

Erion Alibej: Plaurent Dervishajn e njoh prej vitit 2019 përpara se t’i bëhej atentat në muajin mars ose fillim prilli. Jemi takuar tek “Liri i Cigareve”, ka fabrikë në Librazhd. Plaurenti erdhi me një djalë tjetër, më vonë e identifikova që ishte “Mond Çekiçi”. Ishte me automjet BMË seria 7, bojqielli e errët. Arsyeja e takimit ishte për ngjarjet që i kishin ndodhur familjes time. Unë po interesohesha se kush i kishte kryer krimet ndaj familjes time. Plaurenti njihej si “Lenti”. Kam patur aplikacion EnchoChat dhe Sky Ecc.  
Pseudonimet e mia kanë qenë “Noku” dhe “Kumi”. Plaurenti kishte të dyja platformat. Te Sky e kishte pseudonimin “Barcelona”.  Kemi komunikuar kur atij iu bë atentati në Durrës. I them shyqyr që shpëtove. Çfarë merrja unë vesh për atentatin ndaj tij, ia thoja atij. Ai e gjykonte vetë se çfarë vlerësonte si informacione. Në takimin me Plaurentin, emrin e Redjan Rraja e kam dëgjuar për herë të parë kur iu bë atentat një prokurori. Kur u bë atentati e dija mirë që e kishte bërë ai. Kur e pyes Plarentin dhe i them që po si është e mundur që u zbulua kaq shpejt autori, emrin e Redjan Rrajës ma ka thënë Plaurenti. Më thotë po, e kam shok dhe i është futur çunave me zor në makinë, donte të merrte pjesë dhe ai,” tha Erjon Alibej.