Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) po mbahet seanca e radhës për çështjen “Plumbi i Artë”. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha e cila po ndjek seancën, ka siguruar dëshminë e Krenar Guçes, ish-zv.drejtor i Policisë së Elbasanit.
Gjatë dëshmisë së tij, Krenar Guçe deklaroi se është vënë në dijeni nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, për persona që sipas tij kishin qëllime dashakeqe ndaj tij. Ai tha se për këtë arsye kishte përfituar mbrojtje shtetërore për rreth dy vite.
Guçe shtoi se në telefonin e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani ishte gjetur një fotografi e tij, ndërsa theksoi se nuk kishte pasur informacion të plotë mbi momentin e kërcënimit. Ai kujtoi gjithashtu një aksident të ndodhur më 5 nëntor 2021, duke thënë se ka qenë për një periudhë të gjatë me raport mjekësor dhe jashtë detyrës aktive.
Diskutimet në seancë:
Avokati i Fatos Gosës: Ju kanë kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës?
Krenar Guçe: Gjatë kryerjes së detyrës, më ka thirrur ish-drejtori i përgjithshëm Gledis Nano dhe më është bërë me dije se persona të caktuar kanë pasur qëllime dashakeqe ndaj meje, kanë pasur foton time në telefon dhe për këtë arsye unë kam pasur mbrojtje nga shteti për 2 vite. Në 5 nëntor 2021 kam pësuar një aksident, theva këmbën. Qëndrova 6 muaj me raport. Nuk më është dhënë shpjegim se kur ishte bërë kërcënimi. Fotoja ime ishte gjetur te telefoni i Dumanit. Shteti shqiptar më ka dhënë mbrojtje.
Avokati i Fatos Gosës (Pasi lexon një procesverbal të këqyrjes së hyrjes në Shqipëri nga Rinasi dhe vajtjes në një hotel të Hajdar Bako Çopja në dhjetor 2019): Përse nuk i keni referuar prokurorit emrin e personit që keni këqyrur lëvizjet, Hajdar Bako Çopja?
Krenar Guçe: Procesverbali është i qartë. Ka qenë sekret hetimor. Po ta shikoni në dosje, do ta gjeni edhe procesverbalin që ia kam referuar prokurorit.
Më tej pyetet për kërcënimin
Krenar Guçe: Mua më kanë thirrur eprorët dhe më është bërë me dije se ndaj meje persona të caktuar kanë ndërmarrë veprime dhe më kanë dhënë mbrojtje për sigurinë time. Në 5 nëntor 2021 kam bërë aksident dhe kam qenë me leje në periudhën kur më kanë vënë në dijeni. Unë nuk kam ditur gjë. Drejtuesit e mi më vunë në dijeni për kërcënimin, pasi në telefonin e Nuredin Dumanit ishte gjetur një foto e imja.
Pse nuk e keni referuar në prokurori emrin e tij? (referuar procesverbalit të vëzhgimit të Hajdar Copjas)
Krenar Guçe: Procesverbali që lexuat është i qartë. Informacioni është referuar…
Ky s’ka shënuar emrin e Armis Stafës, si personi që shoqëronte Hajdar Çopjan.
Avokati Përparim Kulluri: Përse ju kanë thirrur si dëshmitar, se nuk ndodh që çdo oficer policie të thirret?
Guçe: Jo, nuk e kuptoj, ma thuaj ti.
Prokurori: Mos e pyet!
Avokati Përparim Kulluri: Kur s’keni bërë ju hetim, do pyesim ne si avokatë. Të nderuar, ky oficer është thirrur për t’u pyetur pse s’ka bërë detyrën. Si është procedura për një person në kërkim? Si organizohet puna nga policia?
Guçe: Person në kërkim.
Avokati Përparim Kulluri: Policor apo me masë? Policia e Shtetit, kur ka informacion për persona me masë sigurie, mund të ushtrojë kontroll. Çfarë ndodh?
Prokurori: Pyetjet duhet të jenë jo në parim.
Guçe: Policia, kur ka informacion për një person me masë sigurie, ndodhet në banesë apo diku tjetër, ushtron kontroll.
Avokati: Jo, si vetë oficer, a keni mbajtur ndonjë procesverbal të plotë për të kërkuarin Talo Çela?
Elda Zotaj, avokate: Po e pyet për veprimet hetimore që ka kryer oficeri Krenar Guçe.
Guçe: Kam parë kamerat e hotelit Jurgen, prej momentit të hyrjes deri në momentin e daljes. Shtetasin Hajdar Bako e kam identifikuar përmes makinës që përdorte, kishte një makinë Alfa Romeo. Armir Stafa, mesa më kujtohet, ishte pronari i makinës. Eprorin e kam njoftuar menjëherë.
Ndërhyn prokurori: Oficeri po pyetet për detyrën. Të na thotë pse po e pyesin.
Ndërhyn gjykata: U tërheq vëmendjen prokurorit të mos ndërhyjë, komunikimi bëhet përmes gjykatës. Gjykata i tërheq vëmendjen prokurorit Behar Dibra për ndërhyrjen e panevojshme.
Elda Zotaj, (avokate e Altin Ndocit): A keni bërë ndonjëherë kontrolle për Talo Çelën në shtëpinë e Fatos Gosës?
Guçe: Nuk më kujtohet nëse kemi bërë kërkime për shtetasin Talo Çela në shtëpinë e Fatos Gosës.
Elda Zotaj: Si e identifikuat personin që shoqëroi Bakon?
Guçe: E identifikuam përmes targave të makinës. Ka qenë një makinë “Alfa Romeo”. Pronari ishte Armir Stafa.
Elda Zotaj: A keni mbajtur procesverbal për këtë moment?
Guçe: Nuk më kujtohet.
Elda Zotaj: Kë keni vënë në dijeni?
Guçe: Eprorin tim, Leonard Palushi.
Elda Zotaj: Ne kërkojmë nga ju, a mund të na identifikoni atë që keni parë në kamera?
Guçe: E kam dhënë deklarimin tim më herët.
Elda Zotaj: Po, por ju kujtoj që jemi në gjykim këtu dhe jeni dëshmitar.
Guçe: Ka qenë 30–35 vjeç, zeshkan, me flokë të zeza, me tipare normale.
Elda Zotaj: Çfarë itinerari kanë ndjekur në momentin që ka marrë shtetasin Hajdar Bako?
Guçe: E ka marrë në hotel dhe kanë vazhduar deri në aeroport.
Elda Zotaj: A kanë kryer veprime të tjera?
Guçe: Jo, s’më kujtohet.
Elda Zotaj: A ju kujtohen veprimet që ka bërë Bako deri në momentin që është ndarë nga ky shtetas në Rinas?
Guçe: Jo, s’më kujtohet.
Elda Zotaj: A keni bërë verifikim të mëtejshëm?
Guçe: Kemi funksionuar si grup hetimor.
Elda Zotaj: Për personin Armir Stafa konkretisht?
Guçe: Jo, s’më kujtohet.
Elda Zotaj: Në atë kohë shtetasin Bako e keni identifikuar mbi çfarë bazë elementësh kur e patë në kamera? Për shkak të njohjeve personale?
Guçe: Nuk jam njohur personalisht me të, nga këqyrjet në sistem.
Elda Zotaj: Deklaruat që jeni marrë në mbrojtje nga shteti në 2022, mund të na thoni kush është personi që ju ka kërcënuar?
Guçe: Nuredin Dumani.
Elda Zotaj: A keni njohuri për këtë shtetas se çfarë ka deklaruar ky shtetas për foton e gjetur në telefon?
Prokurori Behar Dibra: Si mund të bëhet kjo pyetje? Po i nxjerr media se çfarë përgjigjet e çfarë jo. Në Shqipëri dihen të gjitha. I kanë nxjerrë shoqet e tua e shokët e tu.
Ndërhyn gjykata: I tërheq për të disatën herë vëmendjen prokurorit të mos ndërhyjë.
Elda Zotaj: A e keni njohur, kryer veprime hetimore ndaj Nuredin Dumanit?
Guçe: Kam bërë hetime ku ka rezultuar që ka qenë autor i vrasjes së Bujar Çelës.
Elda Zotaj: A i keni kërkuar prokurorit nxjerrjen në kërkim të këtij shtetasi?
Guçe: Unë kam qenë personi që kam kryer hetimet ku Nuredin Dumani ka rezultuar se është autori i vrasjes që thashë.
Elda Zotaj: E njihni shtetasin Henrik Hoxha?
Guçe: Vetëm kur është arrestuar dhe ka dalë në media.
Elda Zotaj:A keni pasur komunikim me shtetasin e prezantuar këtu si Henrik Hoxha?
Guçe: Kurrë.
Elda Zotaj: A keni pasur aplikacione të enkriptuara?
Guçe: Kurrë.
Gjykata konstaton që kërkesa t’u përgjigjeni pyetjeve rreth vrasjes së Andi Zylyfit dhe avokatja është e lutur të orientohet drejt këtyre pyetjeve. Ka një procedim në vete për Talo Çelën dhe rreth tij. Riformuloni pyetjen.
Elda Zotaj: A keni bërë kërkime ndonjëherë për Talo Çelën?
Gjykata: Riformulo pyetjen.
Elda Zotaj: A ka qenë ndonjëherë i dyshuar Talo Çela?
Gjykata: Çfarë veprimesh keni kryer për këtë shtetas?
Guçe: Veprime verifikuese./ Top Channel
