Është nisur drejt spitalit të traumës në Tiranë Brian Syzo, i cili mbeti i plagosur pasi u qëllua me armë zjarri mesditën e sotme në Pogradec. Mjekët e spitalit të Pogradecit kanë gjykuar se duhet të transportohet drejt Traumës për mjekim më të specializuar. Korrespondentja e Top Channel Dhorjela Çule bën me dije se plumbi ka goditur këmbën e tij, dhe ka kapur njërën prej venave kryesore, ç’ka mund të jetë rrezik për amputimin e këmbës.

Ndërkohë, në pranga pas ngjarjes është vënë autori Nikolla Agolli.Ai u ndalua nga policia teksa tentonte të arratisej me një furgon drejt Prrenjasit, pak pasi braktisi makinën e tij në Qafë-Thanë. Bashkë me të u kap edhe një person i dytë që e shoqëronte. Syzo, me precedentë penalë, u qëllua me armë në këmbë në lagjen nr. 3 në Pogradec. Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë hakmarrja, pasi vëllai i Syzos dyshohet se ka plagosur Nikollën vitin e kaluar. Policia aktualisht po kërkon për armën e krimit të përdorur nga Agolli, që dyshohet se e ka hedhur në liqenin e Pogradecit. Nikolla Agolli u plagos vitin e kaluar nga Sindi Syzo, vëllai i Brianit, në një berberhane. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1 të Pogradecit, në janar të 2025.