Deputetët e opozitës, anëtarë të Komisionit të Jashtëm, kanë kërkuar një seancë urgjente me ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha, pas publikimit të disa mesazheve që, sipas tyre, përbëjnë incidente të rënda diplomatike. Bëhet fjalë për mesazhe të publikuara pak ditë më parë, ku pretendohet se ministri iu është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në një komunikim në një grup.
Në një letër zyrtare drejtuar komisionit, deputetët pretendojnë se ministri ka përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, dhe se një deklaratë e tillë bie ndesh me çdo standard të komunikimit diplomatik.
Teksa numërojnë incidentet, sipas tyre, deputetët opozitarë kanë sjellë në vëmendje një tjetër çështje që lidhet me një komunikim të pretenduar. Sipas tyre, ministri Hoxha dyshohet se ka udhëzuar që Donika Gërvalla të mos ketë kontakte dhe takime me përfaqësues të qeverisë shqiptare.
Letra e plotë:
“Ne një grup deputetësh, anëtarë të Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, kërkojmë paraqitjen urgjente të Ministrit të Europës dhe Punëve të Jashtme, z. Ferit Hoxha përpara këtij Komisioni, bazuar në detyrimin kushtetues dhe ligjor të Kuvendit për kontrollin e veprimtarisë së pushtetit ekzekutiv.
Bazuar në informacione të publikuara në media Ministri Hoxha ka shkaktuar, në mënyrë të përsëritur, dy incidente diplomatike të rënda që kërkojnë reagimin e menjëhershëm të këtij komisioni.
Incidenti i pare:
Në një komunikim me diplomatë të Republikës së Shqipërisë, ministri Hoxha ka udhëzuar që znj. Donika Gërvalla (Ministre e Drejtësisë, dhe ish-Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës), t’i pamundësohet çdo komunikim dhe vizitë me ministra të tjerë të Republikës së Shqipërisë.
Një qëndrim i tillë përbën një akt të paprecedentë, cenim të drejtpërdrejtë të frymës së bashkëpunimit ndërshqiptar, dhe dëmtim të marrëdhënieve ndërshtetërore Shqipëri-Kosovë, që i shërben vetëm kundërshtarëve të interesave tona kombëtare në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Askush nuk e ka mohuar publikisht këtë fakt. Heshtja e ministrit përballë këtyre njoftimeve e bën atë përgjegjës për pasojat diplomatike, aq më keq kur këto qendrime Ministri ia transmeton drejtpërdrejt trupës sonë diplomatike, e cila vendoset nën presion politik për të vepruar në shkelje të betimit të diplomatit.
Incidenti i dytë:
Rreth tre ditë më parë, në një grup komunikimi me ambasadorët shqiptarë, ministri Hoxha ka përdorur shprehjen “idiotë” si një cilësim fyes për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Një gjuhë e tillë, e përdorur nga kreu i diplomacisë shqiptare për bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, është thellësisht fyese, në kundërshtim me çdo standard të komunikimit diplomatik, dhe dëshmon paaftësi të theksuar për të përfaqësuar interesat e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve atje, si dhe dëmton besimin që duhet të ketë trupa diplomatike shqiptare tek drejtuesi i tyre.
Ministri i Punëve të Jashtme, në çdo vend evropian (mjedis që z. Hoxha e njeh shumë mirë prej vitesh) do të ishte tërhequr menjëherë nga detyra pas dy incidenteve të njëpasnjëshme diplomatike të këtij niveli. Jo sepse nuk do të kishte mbështetje politike, por sepse dëmi i shkaktuar marrëdhënieve ndërshtetërore dhe interesit kombëtar do ta bënte të pamundur vijimin e mandatit të tij.
Përkundër pritmërive që ministri Hoxha të sillte një standard tjetër komunikimi dhe një kulturë tjetër profesionale, në vend të ndërtimit të urave, ai ka shkaktuar fraktura diplomatike qoftë me institucionet e Kosovës dhe me vetë ministren Gërvalla, qoftë me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesit e tyre politikë.
Helmimi i marrëdhënieve, veçanërisht në formën e udhëzimeve dhe qëndrimeve të shprehura para trupës diplomatike shqiptare, nuk mund të tolerohet. Është në kundërshtim të hapur me interesin shtetëror dhe kombëtar shqiptar.
Në mbështetje të këtyre fakteve të lartpërmendura, ne kërkojmë nga Komisioni Parlamentar për Europën dhe Politikën e Jashtme:
1. Thirrjen e menjëhershme të ministrit Ferit Hoxha përpara komisionit, për të dhënë llogari për këto dy incidente.
2. Kërkimin e një apologiie publike nga ministri:
· Drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për cilësimin fyes “idiotë”.
· Drejtuar ministres Donika Gërvalla dhe institucioneve të Kosovës për qëndrimin fyese dhe kufizues.
3. Kërkesën për dorëheqjeje të ministrit Hoxha, duke qenë se dëmi diplomatik i shkaktuar e bën të pamundur vijimin me besueshmëri të funksionit të tij.
4. Raportimin e konkluzioneve të kësaj procedure para Kuvendit, përfshirë vlerësimin nëse veprimet e ministrit përbëjnë shkelje të detyrës.
Nuk ka interes më të lartë kombëtar se ruajtja e marrëdhënieve strategjike me Kosovën dhe mbrojtja e të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ministri Hoxha, me fjalët dhe udhëzimet e tij, ka punuar kundër këtyre interesave. Ai nuk mund të vijojë më në këtë detyrë.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin”.
Ditët e fundit, në rrjete sociale janë publikuar disa mesazhe nga deputetë të Partisë Demokratike, ku pretendohet se Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha iu është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në një komunikim në një grup të Ministrisë per Evropën dhe Punët e Jashtme ka hapur debat.
Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, në emër të Hoxhës deklaroi se ky mesazh nuk është i vërtetë. Sipas reagimit, komunikimi i shpërndarë nga deputeti nuk ka asnjë lidhje me realitetin.
Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Alteo Hysi: Zëdhenësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme.
