Një automjet tip “Hyundai Tucson” është përmbysur në një nga akset kryesore të Durrësit, teksa po udhëtonte drejt Spitalit Rajonal për të dërguar një vajzë që kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Ngjarja është regjistruar në rrugën që lidh kryqëzimin e stadiumit me Drejtorinë Vendore të Policisë dhe Spitalin Rajonal të Durrësit.
Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, automjeti po lëvizte me shpejtësi në drejtim të spitalit, pasi në të ndodhej një vajzë me temperaturë të lartë. Gjatë lëvizjes, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit, i cili është përmbysur në rrugë.
Pavarësisht dinamikës së aksidentit, paraprakisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje pritet të kryhen veprimet përkatëse për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota që çuan në përmbysjen e automjetit.
