Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka vlerësuar qëndresën e studentëve dhe pedagogëve që prej ditësh protestojnë para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një nga rezistencat më të admirueshme të 36 viteve të demokracisë në Shqipëri.

Në një prononcim nga protesta, Korreshi u ndal te përfshirja e pedagogëve në tubim, duke thënë se prania e tyre i ka dhënë më shumë forcë lëvizjes dhe ka rrëzuar, sipas tij, pretendimet e kryeministrit Edi Rama ndaj studentëve.

Deputeti opozitar theksoi se angazhimi i trupës akademike tregon se pakënaqësia nuk lidhet vetëm me studentët, por prek edhe pedagogët, të cilët i njohin nga afër problematikat e arsimit dhe vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë.

Korreshi përmendi gjithashtu studentët e ndaluar gjatë protestave, duke vlerësuar moralin dhe qëndrueshmërinë e tyre.

“Është një nga rezistencat më të admirueshme që kanë ndodhur gjatë këtyre 36 viteve të demokracisë. Është një nga më të bukurat”, u shpreh ai.

Sipas deputetit, bojkoti i mësimit nga pedagogët është një tjetër sinjal se situata ka mbërritur në një pikë kritike, ndërsa protesta vijon me kërkesat e studentëve dhe qytetarëve drejtuar qeverisë.