Në Bruksel është zhvilluar sërish gjyqi ndaj Franc Çopjas dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen e Ardit Spahiut, ekzekutimi i të cilit ndodhi më 27 nëntor 2020 në Molenbeek. Avokatët e palës civile kanë krahasuar këtë vrasje me krime të tjera të ngjashme në Shqipëri, duke sugjeruar se ky atentat është pjesë e një konflikti të gjerë mes klaneve kriminale të Çopja dhe Qosja, që ka filluar rreth vitit 2017-2018.
Avokatja Virginie Taelman, në fjalimin e saj, e përshkroi vrasjen e Spahiut si një përpjekje të planifikuar dhe të realizuar me të njëjtën metodë si atentatet e tjera të kryera nga këto grupe kriminale. Ajo e theksoi se skema e veprimit ishte gjithmonë e njëjtë: makina, burra të armatosur dhe një breshëri plumbash.
“Makina, burra, armë dhe breshëri plumbash. Është gjithmonë e njëjta skemë, këtu apo atje”, tha avokatja, duke shtuar se Spahiu ishte një “i afërt” i klanit Alibej, kundërshtar i drejtpërdrejtë i klaneve Çopja dhe Qosja. Avokatët e palës civile kërkuan që juria të shpallë fajtorë Franc Gergelyn (i njohur si Çopja) dhe Mikael Qosjan, duke i akuzuar ata për urdhërdhënës të vrasjes.
Sipas avokatëve, atentati ndaj Spahiut ishte i planifikuar me kujdes dhe nuk mjaftonte vetëm forca e drejtpërdrejtë për të realizuar vrasjen. Ata theksuan se për të realizuar qëllimin e tyre ishte e nevojshme “tradhtia e një miku”, që dyshojnë se ka qenë Elton Roci, i cili luajti një rol kyç në zbulimin e vendndodhjes së Spahiut.
Në një pjesë të fjalës së saj, avokatja Taelman e quajti Franc Gergelyn (Çopja) si “motorin e vrasjes”, duke e përshkruar si arkitektin e atentatit, që vepronte me motivin e hakmarrjes dhe egoizmit të klanit të tij. Po ashtu, Mikael Qosja u cilësua si “shefi i kantierit”, i cili kujdesej për menaxhimin e informatorëve dhe mbështetësve të grupit.
Vrasja e Ardit Spahiut, i cili ishte një nga të arratisurit nga Shqipëria për shkak të frikës për jetën e tij, u realizua kur ai ishte pasagjer në një automjet. Ai u qëllua nga dy persona të maskuar dhe, pasi arriti të largohej, ata e ndoqën dhe e ekzekutuan. Hetimet për këtë vrasje u intensifikuan pas dekriptimit të platformës të komunikimit të koduar Sky ECC, ku u identifikuan disa të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, një figurë kyçe e klanit Çopja, që operonte ndërkombëtarisht nga Dubai.
Kjo vrasje është vetëm një episod i konfliktit të përshkallëzuar mes klaneve Çopja dhe Qosja, pas një vjedhjeje prej 49 kilogramë kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër. Dhuna mes grupeve ka çuar në një varg atentatesh dhe vrasjesh me pagesë, të cilat janë pasojë e këtij konflikti të gjatë. Vrasja e Spahiut, i cili kishte kërkuar azil në Belgjikë në vitin 2019, është një tjetër manifestim i kësaj lufte mes klaneve të ndryshme kriminale, që vazhdon të kërcënojë sigurinë dhe paqen në rajon.
