Qeveria nuk i ka mbyllur sytë dhe veshët përballë kërkesave të cilat artikulohen çdo mbrëmje në protestën qytetare. Kjo sipas asaj që deklaroi kryeministri Edi Rama në editorialin e përjavshëm të podkastit “Flasim”, paçka se deri më tani protestuesit kanë vendosur një mur bllokues në pasjen e një komunikimi me qeverinë. Rama shtoi se në disa raste janë shfaqur edhe elementë dhune, të cilët sipas tij ndikojnë në përshkallëzimin e situatës gjatë protestave në bulevard.

“Unë jam shumë i vëmendshëm dhe një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit, e cila ka dy shtresa: ‘ujin e rrjedhshëm’ të të gjithë atyre që dolën sinqerisht dhe që janë sinqerisht të shqetësuar apo që kanë halle reale dhe ‘koren e zezë’ të gjithë dështakë-zemërakëve të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, që kanë krijuar një situatë konvulsive ku janë shfaqur edhe elementët e pashmangshëm të dhunës në këto raste, pasi kur shkon pas Berihait, në fund të del përpara muri”, u shpreh Rama.