Tiranë
Arrestohet Dritan Petro Prifti, akuzohet për legalizime jashtë kritereve
Një ish-punonjës i ALUIZNI-t është arrestuar dje në Rinas teksa tentonte të ikte nga Shqipëria. Ai ishte akuzuar nga prokuroria për shpërdorim detyre, ndërsa në fillim të vitit, gjykata kishte lëshuar një urdhër për arrestimin e tij. Kështu, mësohet se dje, në orët e pasdites, policia e kryeqytetit ka arrestuar ish-punonjësin e ALUIZNI-t, Dritan Prifti, i cili ishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre dhe ndaj të cilit Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e arrestit me burg. Ndërkaq, mësohet se ish-punonjësi i ALUIZNI-t, Dritan Prifti, është arrestuar në Aeroportin e Rinasit teksa tentonte të largohej nga vendi. “Dritan Prifti është shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me shkresën nr. 932 datë 22 janar 2015, ka dërguar urdhrin e datës 22 janar 2015 për ekzekutimin e vendimit penal numër 22, datë 6 janar 2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “shpërdorim detyre”. Nga burimet e policisë kufitare të Rinasit mësohet se arrestimi i Dritan Petro Priftit është kryer teksa ai ishte duke udhëtuar me një linjë ajrore, ndoshta në përpjekje për t’iu shpëtuar prangave të policisë. Nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se Prifti akuzohet për shpërdorim detyre, pasi në cilësinë e ish-punonjësit të ALUIZNI-t, kishte kryer veprime që binin në kundërshtim me detyrën, duke firmosur legalizimet e objekteve që binin ndesh me dispozitat ligjore. Të njëjtat burime të policisë thanë se nga dosja që u ishte përcjellë prej prokurorisë, rezulton se mes objekteve, për të cilat Prifti ka firmosur legalizimin, kanë qenë edhe ndërtesa që konsiderohen si jashtë kritereve për t’u legalizuar. Ndërkaq, para pak ditësh, Policia e Tiranës arrestoi pesë ish-punonjës të ALUIZNI-t në kryeqytet, ndërsa janë shpallur në kërkim katër të tjerë. Ndaj tyre kishte nisur një hetim prej më shumë se një muaji. Sipas policisë, këta shtetas janë hetuar nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe gjykata ka hapur dritën jeshile për arrestimin e tyre. Konkretisht, Policia e Tiranës bënë të ditur se të arrestuar janë: Erald Maçi, Ermal Dino, Artur Skela, Robert Dauti dhe Erin Mlloja, ndërsa janë shpallur në kërkim Rajmond Dervishi, Florian Hajdini, Taulant Brezhda e Kreshnik Bezhdo. Nga prokuroria u mësua se me dhjetëra objekte ishin legalizuar në zona të shpallura si monumente kulture. Ndërkaq, hetimet kishin nisur pas kallëzimeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Ministria e Turizmit. Ndërkaq, këta muajt e fundit, prokuroritë e rretheve kanë nisur disa hetime dhe kanë dërguar në gjyq disa zyrtarë të ALUIZNI-t, të akuzuar për shpërdorim detyre. Mes të proceduarve dhe personave ndaj të cilëve është dhënë masa e “arrestit me burg”, janë edhe ish-krerë të ALUIZNI-t nëpër rrethe. Shkeljet më të shumta janë vënë re në zonat turistike, ku janë legalizuar me dhjetëra ndërtesa, të cilat ishin jashtë kritereve. M. Mullai