Kandidati i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Eligert Hima, ka denoncuar sot praninë e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, të cilët sipas tij po ushtrojnë presion ndaj zgjedhësve.
Në një prononcim për mediat, Hima kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë së Shtetit për të garantuar proces të qetë dhe votim të lirë.
“Sipas Kodit Zgjedhor, jashtë qendrave të votimit nuk duhet të qëndrojë askush. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të marrë menjëherë masa dhe të largojë personat që po intimidojnë qytetarët, në mënyrë që vota të jetë e lirë dhe pa presione,” deklaroi ai.
Hima theksoi se prania e këtyre grupeve krijon klimë frike dhe cenon standardin e procesit zgjedhor. Autoritetet ende nuk kanë reaguar ndaj këtyre pretendimeve.
