Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe deputeti Erald Kapri janë përfshirë në një debat të ashpër me efektivët e policisë, teksa kanë takuar një protestues që thotë se është dhunuar gjatë shoqërimit. Në pamjet e publikuara, Shehaj dëgjohet duke kundërshtuar veprimet e policisë dhe duke i kërkuar llogari efektivëve për shenjat e dhunës që, sipas protestuesit, kishte në trup dhe në fytyrë.
“E keni dhunuar! E keni dhunuar! Po ju denoncon ai. E ke dhunuar, mor, çfarë bën ti? I keni rrahur, s’keni turp!”, dëgjohet t’u drejtohet Shehaj efektivëve.
Gjatë bisedës, protestuesi tregon se kishte tentuar të largohej pasi kishte parë persona civilë që, sipas tij, kishin dalë nga automjetet. Ai thekson se është kapur dhe dhunuar, ndërsa Shehaj e pyet se kush e ka rrahur. Situata tensionohet edhe më tej, duke kaluar në përplasje verbale dhe shtyrje.
Në një moment, Erald Kapri dëgjohet tu drejtohet efektivëve me fjalët: Mos prek deputetin me dorë. Po ashtu në reagimin e tij, Shehaj ka theksuar se po verifikohen rastet e rrëmbimit të të miturve, një për një, duke paralajmëruar se personat përgjegjës për dhunën do të mbajnë përgjegjësi.
