Gazetari Poli Hoxha ishte i ftuar sot në emisionin “Shqipëria Live”, ku foli në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaj.

Hoxha deklaroi se politika është burimi i dhunës, duke marrë si shembull sulmet e bëra ditën e djeshme, pak para krimit, nga ish-kryeministri Sali Berisha në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

“Të mos harrojmë se pak orë para se të ndodhte kjo ngjarje e rëndë, ish-kryeministri, ish-presidenti i vendit ka dalë para Gjykatës së Posaçme dhe ka bërë një deklaratë të rëndë. I gjithë problemi buron nga politika. Politika e ka çuar në këtë gjendje situatën e pronave, situatën e drejtësisë. Të gjithë këta janë të frymëzuar nga gjuha e këtyre politikanëve që kanë drejtuar shtetin dhe kapen personalisht me një gjyqtar.

Tani këta që bëjnë këto deklarata për gjyqtarët, nëse kanë burrëri apo prapanicë, le të shkojnë ta shkrepin armën tek burimi, le të shkojnë tek politikanët”– tha gazetari.