Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave të Taulant Ballës për vendimin e një prokurori të Tiranës lidhur me arrestimet gjatë protestave, duke paralajmëruar se akuzat për lidhje politike, pa prova konkrete, mund të cenojnë pavarësinë e magjistratit.

Në reagimin e saj, Shoqata thekson se prokurorët janë të pavarur në ushtrimin e funksionit dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Sipas saj, vendimmarrja duhet të mbështetet te faktet dhe provat, pa ndërhyrje apo presione politike.

Shoqata nënvizon se vendimet e prokurorisë mund të kritikohen publikisht, por pretendimet për lidhje politike, kur nuk shoqërohen me fakte konkrete, e zhvendosin debatin nga analiza juridike drejt diskreditimit personal dhe profesional të prokurorit.

Sipas saj, një gjuhë e tillë krijon rrezikun e ushtrimit të presionit mbi magjistratin dhe vendimmarrjen e tij të mëtejshme. Shqetësim ngrihet edhe për thirrjet publike drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të ndërhyrë për shkak të vendimit të marrë.

Në reagim, Shoqata sqaron se urdhrat për lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar në kundërshtim me ligjin nuk janë vendime për pushimin e çështjes dhe nuk përcaktojnë përfundimisht përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.

Duke iu referuar nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, ajo thekson se, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit.

Sa u përket pretendimeve për shkelje profesionale apo etike, Shoqata nënvizon se ato mund t’u drejtohen organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohen mbi bazën e fakteve dhe procedurave ligjore, pa ndikime politike.

Në përfundim, Shoqata u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë me përgjegjësi të drejtën e kritikës dhe të shmangin deklaratat që shënjestrojnë prokurorët.

Sipas saj, garantimi i pavarësisë së magjistratëve është thelbësor për zhvillimin e një procesi të paanshëm dhe zbatimin e barabartë të ligjit për të gjithë.