Erion Alibej, i penduar në dosjen “Plumbi i Artë”, ka rrëfyer në gjykatë se kishte ngritur një rrjet të sofistikuar informatorësh dhe përdorte sistemin TIMS për të ndjekur lëvizjet e rivalëve të tij në botën e krimit. Ai ka theksuar se Ardian Çollaku ishte burimi i tij më i besuar, ndërsa përmes tij mësoi për herë të parë për Dashnor Dumanin.  “Ai më tregoi që vëllai i tij kishte grabitur një kambist në lagjen Kala”, tha Alibej.

Alibej pretendon se kishte hyrje, dalje, foto e të dhëna të personave si Çopjat, Qosja e Dumani, duke shtuar se nuk kishte më besim tek drejtësia në Elbasan. Ai përmendi edhe një takim të dyshimtë të disa zyrtarëve të lartë në qytet, duke aluduar për ndikime të paligjshme në Policinë e Shtetit. “Kisha hyrje-daljet, fotot dhe lëvizjet e të gjithëve nga Çopjat te Qosja, tek Dumani”, u shpreh ai, duke shtuar se kishte filluar të humbte besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan.

Në dëshminë e tij, Alibej tha se kishte ndërmarrë vetë rolin e hetuesit për të zbuluar vrasësit e familjarëve të tij dhe kishte informuar menjëherë drejtuesin e prokurorisë pas dorëzimit. Ai shtoi se nuk donte më konflikt, sepse pas tij qëndronin shumë familje që mbështeteshin tek ai.