Deklarata


Kryeprokurori i Tiranës: Do të pyetet kushdo që ka informacion për vjedhjen


Fusha – “Po vazhdojmë hetimet me intensitet. Në përfundim do të gjykojmë dhe do të vendosim për përgjegjësinë. Së shpejti do përfundojnë hetimet”


Deklarata – Deklarata e kryeprokurorit të Tiranës disa orë para arrestimit të guvernatorit Ardian Fullani


FUSHA-SINK05Kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, deklaroi se hetimet për supervjedhjen në Thesarin e Shtetit, janë drejt fundit, teksa pohoi se do të pyeten të gjithë personat që kanë pasur dijeni për këtë çështje. Deklarata erdhi gjatë dëshmisë së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe inspektorët e BSH-së, të cilët duhet të kontrollonin raportet periodike të auditiveve apo kontrolleve në degët e thesarit. Një gjë e tillë, sipas akuzës nuk është bërë, duke i lënë “dorë të lirë” Ardian Bitrajt të merrte nga kasaforta rreth 713 milionë lekë, ndërsa ende prokuroria thotë se nuk ka faktuar shumën e saktë.


Ditën e djeshme, gjatë kohës që në pyetje po merreshin dy anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, kryeprokurori i Tiranës tha se çështjes do t’i shkohet deri në fund, për të zbuluar të gjitha parregullsitë në këtë institucion. Fakt është se deri më tani përgjegjësi kanë pothuajse të gjithë punonjës e Thesarit në Linzë, që nga drejtori e deri te punonjësit që kontrollonin lekët. Madje, nuk përjashtohen nga përgjegjësia as punonjësit e sigurisë, të cilët nuk kanë monitoruar lëvizjet brenda këtij institucioni. Ka rezultuar se Ardian Bitraj lëvizte në brendësi të repartit X me thasë të zinj, të mbushur me lekë, dhe pasi i fuste në trup, dilte nga godina pa asnjë problem.


Fusha pohoi paraditen e djeshme se hetimet janë drejt fundit, ndërsa në mesditë prokuroria që ai drejton lëshoi edhe urdhër-arrestin për Fullanin dhe Golemin, dy prej krerëve të Bankës së Shqipërisë.


Kryeprokurori i Tiranës tha se po punohet për të gjetur destinacionin se ku kanë përfunduar paratë e vjedhura nga Thesari në Linzë, por edhe të bashkëpunëtorëve të përgjegjësit të arkës stok, Ardian Bitraj, i cili deri më tani ka pranuar se ka kryer i vetëm vjedhjen.


“Do thirren të gjithë personat që kanë dijeni. Po vazhdojmë hetimet me intensitet. Në përfundim do të gjykojmë dhe do të vendosim për përgjegjësinë. Së shpejti do përfundojnë hetimet”, tha Fusha, ndërsa nuk komentoi më gjatë për dëshmitë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.