Një aksident i rëndë me pasoja fatale ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar, identifikuar si Leandro Shametaj, ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet tip “Porsche”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës, në një nga bulevardet kryesore të qytetit. Sipas dëshmive paraprake, mjeti dyshohet se po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë, ndërsa shoferi mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit. Përplasja ka rezultuar fatale për të miturin, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Në spitalin e Vlorës, ku është dërguar trupi i viktimës, është krijuar një situatë tensioni për shkak të vonesës së mjekut ligjor, i cili sipas familjarëve nuk ka mbërritur për më shumë se 7 orë për të kryer autopsinë.
“Mbrëmë në mesnatë është aksidentuar nipi. Kemi ardhur në morg që në mëngjes, por prej orësh askush nuk po vjen. Nuk na japin asnjë përgjigje. Djali është vrarë në bulevard nga një makinë që ecte me 200 km/orë, dhe ende as mjeku ligjor, as prokurori nuk janë paraqitur,” është shprehur me revoltë gjyshi i të ndjerit.
Ndërkohë, policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për rrethanat e aksidentit, për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësinë ligjore të drejtuesit të mjetit.
