Një shqiptar i kërkuar nga Interpol Tirana ka rënë në pranga e policisë greke, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
I kërkuari ka tentuar të kalojë pikën doganore për të hyrë në Shqipëri në ditën e Krishtlindjeve, kur nga verifikimi i pasaportës në sistem ka rezultuar se ai kërkohej nga Interpol Tirana, pasi ishte i dënuar me 4 muaj burg nga drejtësia shqiptare për “falsifikim dokumentesh”. Ai është ndaluar nga policia greke, ndërkohë që dokumentacioni në ngarkim të tij i kaloi Prokurorisë së Janinës për nisjen e procedurave të ekstradimit.
Ndërkohë po në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, janë kapur edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, të kërkuar në Greqi, informoi policia e vendit fqinj. Njëri prej tyre rezultonte i dënuar nga Gjykata e Athinës me 3 vite burg për “shmangie taksash” ndërsa tjetri kërkohej me urdhër arresti nga Prokuroria e Kilkis për “ryshfet”.



