Petrit Ndoci, i cili po vuante dënimin në burgun e Reçit, është shpallur në kërkim pasi nuk është paraqitur në institucionin e vuajtjes së dënimit në përfundim të lejes së dhënë.
Sipas informacioneve paraprake, Ndoci kishte detyrimin të rikthehej në burg këtë të enjte, në orën 12:30. Afati ka kaluar pa u paraqitur, duke bërë që autoritetet të nisin kërkimet për lokalizimin e tij.
Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me një letër që i dënuari dyshohet se ka lënë përpara largimit.
Vëllai i tij ka deklaruar se Ndoci u kishte lënë familjarëve një mesazh të shkurtër, në të cilin shkruante: “Po largohem, ju dua shumë.”
Pas konstatimit se ai nuk ishte kthyer në burg brenda afatit të përcaktuar, janë vënë në lëvizje strukturat përkatëse për gjetjen dhe kapjen e tij.
Ndoci po vuante një dënim për veprat penale të vjedhjes me dhunë dhe armëmbajtjes pa leje. Sipas të dhënave të deritanishme, atij i kishin mbetur edhe rreth dy vite burg për të përfunduar dënimin.
Autoritetet po punojnë për të rindërtuar lëvizjet e tij pas daljes me leje dhe për të përcaktuar destinacionin drejt të cilit mund të jetë larguar.
