Policia e Lezhës ka vënë në pranga një të ri 23-vjeçar , pasi gjatë një kontrolli në automjetin e tij u gjet një armë zjarri, ndërsa në banesë iu sekuestrua lëndë narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është shtetasi me inicialet Xh. C., i cili po lëvizte me një mjet tip BMW në aksin rrugor Lezhë–Shkodër. Efektivët ndaluan automjetin dhe gjatë kontrollit iu gjet një armë e mbajtjes pa leje.
Pas verifikimeve, policia vijoi kontrollet edhe në banesën e të riut, ku u sekuestrua një sasi lënde narkotike. Materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë së Lezhës, ndërsa i riu do të përballet me akuzat për mbajtje pa leje të armëve dhe posedim lëndësh narkotike.
“Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve me qëllim kapjen dhe arrestimin e personave që qarkullojnë të armatosur apo mbajnë në banesë armë zjarri pa leje, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për një të ri që qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”.
Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, në fshatin Mabë, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip BMW që dyshohej se udhëtonte i riu i armatosur dhe e ndaluan për të ushtruar kontroll.
Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit dhe të çantës që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, u ushtrua kontroll edhe në banesën e tij në lagjen “Salo Halili”, në Shkodër, ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde narkotike, e dyshuar kanabis.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. C., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
