Një aksident tragjik është regjistruar këtë të diel në zonën e Kënetës në Durrës, ku një automjet ka përplasur tre fëmijë të mitur që ndodheshin në trotuar.
Sipas informacioneve paraprake, fëmijët, të cilët ishin shokë lagjeje dhe shkolle, po luanin me top pranë rrugës në momentin e ngjarjes. Dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin si pasojë e shpejtësisë, duke dalë nga rruga dhe duke hipur në trotuar, ku ka përplasur të miturit. Aksidenti ka ndodhur pranë vijave të bardha.
Si pasojë e përplasjes, dy prej fëmijëve kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
