Ish-ministri Fatmir Mediu foli për mediat pas seancës gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme për masakrën e Gërdecit.

Mediu thotë se gjyqi ka prapavijë politike dhe se është një proces i orkestruar, madje sipas tij, ndikimi ka arritur deri tek Gjykata e Strasburgut.

“Jemi përballë një fakti të një gjyqi popullor të organizuar politikisht që s’ka lidhje me akuzën për ministrinë e Mbrojtjes. Po ta shikoni të gjithë zinxhirin e marrëdhënies që hapi çështjen në mënyrë të kundraligjshme. Po ashtu, krijoi opinionin publik me paratë e Fondacionit Soros, ndikimin e këtij fondacioni në reformën në drejtësi, por deri te Gjykata e Strasburgut gjërat janë të lidhura në atë mënyrë jo për të bërë atë që është në interes të drejtësisë, por në interes të disa grupeve politike të caktuara në Shqipëri, të cilat janë evidente”,- tha Mediu.