Zbulohet mesazhi i Gjok Calit drejtuar ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, disa orë para gjakderdhjes. Ministri i ktheu përgjigje se do të hetohet gjithçka. Prokuroria heton policët, ndërsa do të merren dokumentet e tenderit të lagunës


Armando PrengaNjëri nga vëllezërit Cali, i implikuar në përplasjen me familjen Prenga, e ka paralajmëruar ministrin Tahiri ditën e ngjarjes, duke i shkruar me mesazh se po e vrisnin policët e korruptuar. Nga burimet pranë prokurorisë, mësohet se Gjok Cali, pak minuta pas përplasjes fizike me deputetin Armando Prenga në Patok, i ka shkruar mesazh ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilin e ka njoftuar për konfliktin me deputetin e Partisë Socialiste. Në mesazhin dërguar ministrit, Gjok Cali e informoi ministrin për përplasjen dhe kërkon ndihmë për të sqaruar situatën, duke shprehur rezerva për efektivët e Policisë së Komisariatit të Laçit. Ndër të tjera, ai është shprehur se nuk ka besim te Policia e Laçit, pasi shumica prej tyre janë emëruar nga deputeti Prenga. Burimet shtojnë, se nga këqyrja e aparatit telefonik, rezulton se ministri Tahiri i ka kthyer përgjigje, duke njoftuar Gjok Calin se do të zbatojë të gjitha procedurat ligjore, si dhe e ka orientuar të bëjë kallëzim në polici. Kjo përgjigje ka shtyrë më pas Gjok Calin për të njoftuar shefin e Komisariatit të Laçit, i cili ka nisur drejt Patokut furgonin për të shoqëruar Calin në komisariat, ku edhe ka bërë denoncimin. Para hetuesve, asnjë nga efektivët e policisë nuk ka pranuar se e kishte parë deputetin duke qëlluar me armë, edhe pse kanë qenë ata që kanë shuar sherrin fizik dhe me armë mes dy familjeve Cali e Prenga. Nga ana tjetër, burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se hetimi për konfliktin me armë në Laç do të jetë gjithëpërfshirës, duke përjashtuar vetëm procedurat e tenderimit të licencës së lagunës së Patokut. Burimet thanë se do të kërkohen nga Ministria e Bujqësisë të dhënat e tenderit të zhvilluar dhe vendimin e shpalljes së fituesit, për të provuar që ky ka qenë shkaku i nisjes së konfliktit mes dy familjeve. Ndërkaq, konfirmohet se nuk do të jetë objekt i këtij hetimi, procedura e ndjekur nga Ministria e Bujqësisë për zhvillimin dhe shpalljen e fituesit të tenderit, të cilin e ka fituar vëllai i deputetit Prenga. Sipas vendimit, kompania e Eduard Prengës e ka fituar tenderin për shfrytëzimin e lagunës së Patokut për një afat 10-vjeçar. Prokuroria e Përgjithshme ka pyetur disa oficerë të Policisë së Kurbinit dhe dhjetëra agjentë që kanë qenë me shërbim në orët e mbrëmjes së 4 shtatorit dhe në orët e para të 5 shtatorit, kur dhe ndodhi përleshja mes Prengëve dhe Calëve, para godinës së komisariatit. Hetuesit e çështjes, të ndihmuar edhe nga agjentë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, kanë kryer dhjetëra veprime hetimore që kanë të bëjnë me veprimet e policisë së Kurbinit, të cilët duket se kanë qenë në “gjumë” në momentin e përleshjes. Të paktën kështu del nga dëshmitë e tyre, pasi askush nga efektivët e policisë të pyetur nga hetuesit, nuk e kanë parë Prengën me armë në dorë. Akuza qendrore pohon se ka nisur një verifikim ndaj efektivëve të policisë që kanë qenë në detyrë në momentin e gjakderdhjes, ku mbetën të plagosur katër persona: Tom Cali, Gjergj Cali, Gazmir Lushi dhe Eduart Prenga. Dy të parët janë plagosur me armë zjarri dhe njëri prej tyre, pikërisht Tom Cali, dyshohet se është qëlluar nga deputeti Armando Prenga. Në dëshminë që kanë dhënë për policinë, Tom dhe Gjergj Cali kanë pohuar se janë qëlluar nga deputeti Prenga dhe shokët e tij në oborrin e Komisariatit të Policisë Kurbin.