“Po na zaptojnë tokat që na ka dhënë shteti”.
Kjo ka qenë kryefjala e shqetësimit të dhjetëra në Fier që kanë përfituar tokat në fshatin Boçovë, një sipërfaqe prej 100 dynymësh me ligjin 7501. Prej një viti e gjysme prona e tyre figuron me certifikatë pronësie në emër të kompanisë “Bervi Construksion”, ndërsa vetë banorët akuzojnë edhe kompaninë “Salillari” si të përfshirë në ndërtimin e paneleve diellore në këto toka.
“Është e padrejtë që ne endemi institucioneve prej tre dekadash për t’u pajisur me certifikatë pronësie, dhe papritur tokat tona dalin me mbivendosje.”- shprehen banorët.
Përballë kësaj situate, ata apelojnë njëzëri t’u jepet e drejta e përfitimit të tokës, pasi është e vetmja mundësi të ardhurash ekonomike për familjet e kësaj zone.
Ndërkohë sipas informacionit të marrë pranë njësisë administrative Levan, disa prej banorëve kanë dërguar ankesë zyrtare dhe përballë kësaj situate, firmës “Bervi Construksion” i është kërkuar të paraqesë dokumentacionin që disponon, por ende nuk kanë kthyer asnjë përgjigje./ Top Channel


