Një 21-vjeçar shqiptar është vënë nën hetim nga Prokuroria e Riminit për akuzën e dhunës seksuale, pas denoncimit të një turisteje gjermane 18-vjeçare, e cila ishte me pushime në bregdetin italian gjatë fundjavës së parë të korrikut.
Sipas mediave italiane, vajza ndodhej në Riviera me dy shoqe të saj, të tria me origjinë nga Gjermania dhe në të njëjtën moshë. Ajo kishte njohur 21-vjeçarin, i cili jeton prej vitesh në Itali por është me origjinë shqiptare, dhe së bashku kishin lënë takim në një diskotekë në Rimini mbrëmjen e së dielës, 5 korrik, shkruajnë mediat.
Sipas dëshmisë së vajzës, pas disa orësh që kishin kaluar së bashku në lokal, katër të rinjtë ishin zhvendosur në plazh, pasi kishin konsumuar një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike. Aty, sipas versionit të paraqitur nga 18-vjeçarja në polici, ajo dhe 21-vjeçari ishin larguar nga grupi dhe më pas ai dyshohet se e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të saj. Vajza ka deklaruar se kishte tentuar të rezistonte, por sipas saj i riu e kishte mposhtur fizikisht dhe kishte përfituar nga gjendja e saj e dehjes. Ditën pas ngjarjes, ajo është paraqitur në komisariatin e policisë në Rimini dhe ka bërë kallëzim. I riu, i mbrojtur nga avokati Massimiliano Orrù, ka mohuar të gjitha akuzat dhe pretendon se mes tyre ka pasur vetëm puthje dhe se çdo afërsi ka qenë me dëshirë nga të dyja palët.
“Klienti im është i bindur për pafajësinë e tij dhe, për të treguar qetësinë e tij, ka dorëzuar pa asnjë hezitim të brendshmet e tij te autoritetet për analizat përkatëse”, ka deklaruar avokati i tij.
Për shkak të kompleksitetit të çështjes, Prokuroria e Riminisë i ka kërkuar gjyqtarit të zhvillohet një incidente provë, me qëllim rindërtimin e dinamikës së mbrëmjes dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Ky është rasti i dytë i raportuar për dhunë seksuale në zonën e Riminisë brenda pak ditësh. Më herët ishte bërë publike një tjetër hetim, ku një 23-vjeçare kishte denoncuar se ishte dhunuar gjatë fundjavës së eventit të njohur “Notte Rosa” në bregdetin italian. Hetimet për të dyja rastet vijojnë, ndërsa autoritetet po mbledhin provat dhe dëshmitë për të përcaktuar saktësisht dinamikën e ngjarjeve.
